Rajoni

Kosova në prag zgjedhjesh të parakohshme, qeveria Kurti miraton Buxhetin 2026!

Qeveria në detyrë e Kosovës sot miratoi buxhetin 2026, i cili kap një shifër rekord prej rreth 4 miliardë eurosh, me pasigurinë se Kuvendi mund ta shqyrtojë miratimin e tij. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se buxheti i ri parashikon rreth 1 miliard euro investime kapitale.

Me këtë buxhet do të ketë pagë të 13-të për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Është përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë për 0.5% për çdo vit përvoje pune në sektorin publik.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti i ri është 10% më i lartë se aktuali. Gjatë mbledhjes së sotme, qeveria në detyrë rriti edhe pensionin minimal nga 120 në 150 euro, si dhe shtesat për të gjithë fëmijët nga 0-16 vjeç, me 50%.

Rreth 200 mijë pensionistë dhe mbi 400 mijë fëmijë do të përfitojnë nga këto rritje që nga 1 nëntori, u shpreh Kurti.

A mundet Kuvendi i ri ta miratojë buxhetin e dërguar nga qeveria në detyrë e Kosovës?

Nuk është e qartë nëse ky projektligj për buxhetin 2026 mund të shqyrtohet dhe hidhet në votim në Kuvendin e ri të Kosovës. Miratimi i projektligjit për buxhetin vjen disa orë para një takimi mes presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe udhëheqësve të partive parlamentare, në të cilin pritet t’iu kërkojë kompromis për ta nxjerrë vendin nga paraliza politike.

Gati nëntë muaj pas zgjedhjeve, Kosova me shumë vështirësi krijoi Kuvendin e ri në shtator, por vazhdon të dështojë të ketë një qeveri të re.

Partitë politike nuk kanë shprehur gatishmëri për të bashkëqeverisur dhe kështu janë rritur shanset që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme që në muajin dhjetor.

Një ditë më parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, dështoi të fitojë mbështetjen e partive parlamentare për formimin e grupeve dhe komisioneve parlamentare, në mënyrë që të thirret një seancë e jashtëzakonshme për çështjen e buxhetit për vitin 2026.