Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit për të marrë votat e nevojshme për formimin e kabinetit të ri qeveritar.
Në një postim në Facebook, Kurti falënderoi deputetët që e mbështetën dhe qytetarët për përkrahjen, duke theksuar se pavarësisht rezultatit, qeveria do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e saj deri në zgjedhjet e reja parlamentare.
“Falënderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin për, 52 kundër dhe 4 abstenime, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë, vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare,” – shkroi Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes i ka bashkangjitur postimit edhe videon dhe fjalimin e tij nga seanca e Kuvendit të Kosovës.
Pas këtij rezultati, procesi për formimin e qeverisë kalon në duart e presidentes Vjosa Osmani, e cila pritet të thërrasë partitë politike për konsultime brenda afateve kushtetuese.
Kushtetuta e Kosovës përcakton se “nëse përbërja e propozuar e qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të votave të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar qeverinë”.
Drejtuesi i partisë së dytë me më shumë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se do t’i kërkojë presidentes Vjosa Osmani që të shkohet në zgjedhje menjëherë.
Sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes. Deri atëherë, në detyrë mbetet qeveria Kurti.
Partitë e mëdha shqiptare, ajo Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, patën thënë paraprakisht se s’kanë votë për Kurtin duke e akuzuar për “bllokim të shtetit” që prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhjet e reja.
Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet, pikërisht për të ruajtur stabilitetin shtetëror.
Më herët në seancë, numri një i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se LDK-ja nuk do të marrë pjesë në debat për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që të lihet menjëherë hapësirë për votim.