Rajoni

Kosova reagon pas rrëmbimit të policëve, bllokon në kufi mallrat serbe!

Kosova ka reaguar pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës, duke bllokuar në kufi mallrat serbe.

Tre policë në veri të Kosovës janë marrë peng nga forcat speciale serbe.

Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre policët kufitarë janë marrë gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës, në komunën e Leposaviqit.

Sipas një media serbe bëhet fjalë për Rifat Zekën, Beqir Sefin dhe Mustafa Shemin. Ata kanë publikuar foto dhe video ku shihen tre policët të çarmatosur të shtrirë në tokë, ku më pas i marrin me makinat e tyre.

Sipas policisë së Kosovës, tre policët kanë qenë duke kryer një patrullë për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Ata kanë njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur, kur janë nisur njësi shtesë të PK-së, të cilët sapo arritën kanë gjetur vetëm makinën e policëve.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka marrë peng 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.