Rajoni

Kosovë, aktakuzë ndaj 4 personave për trafikim emigrantësh!

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për trafikim emigrantësh. Shtetasit me iniciale A.K., F.L., V.P., B.C, po ashtu akuzohen për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kiriminal të organizuar”.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, nga janari i 2023-shit e deri në shtator të këtij viti, kishin vepruar si grup i organizuar kriminal, duke futur shtetas të huaj në territorin e Kosovës, në mënyrë të paligjshme.

Aktakuza thotë se ata kishin marrë para në këmbim të trafikimit të emigrantëve në Kosovë, nga 100 deri në 300 euro për person.

Emigrantët që vinin përmes Shqipërisë nga shtete si Bangladeshi, Pakistani, Siria dhe vende të tjera, destiacion final kishin shtetet e Bashkimit Europian.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që merret me trafikim të emigrantëve mund të dënohet me gjobë ose me burgim nga 2 deri në 10 vjet. Ndërkaq, ligjet lejojnë qëndrimin e emigrantëve në Kosovë deri në 15 ditë, pa lajmëruar te autoritetet e rendit.

Pas 15 ditësh, kushdo duhet që të aplikojë për statusin e azilkërkuesit, në të kundërtën, të largohet nga territori i Kosovës. Për të fituar statusin e azilit, nevojiten disa muaj kohë.