Rajoni

Kosovë, nis gjykimi i punonjëses serbe të OSBE-së/Akuzohet për spiunazh!

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot nisi gjykimi i serbes Jellena Gjukanoviç, e akuzuar për spiunazh. Gjukanoviç, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.

Prokurori special, Bekim Kodraliu, ka konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se ajo dyshohet për spiunazh në bashkëpunim me një tjetër person, i cili po ashtu është nën hetim. Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe në rast të konfirmimit të fajësisë, dënohet me minimumi pesë vjet burg.

Disa media kosovare kanë raportuar se Gjukanoviç dyshohet të ketë bashkëpunuar me Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), por këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.

Muajin e kaluar, edhe një serbe tjetër e Kosovës e partneri i saj kroat janë arrestuar në Kroaci, nën dyshimet për spiunazh. Sipas raportimeve, kroati, i cili ka shërbyer në misionin e NATO-së në Kosovë, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij nga Kosova, të cilat ajo ua përcolli anëtarëve të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në muajt e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar disa persona, serbë e shqiptarë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe. Ekspertët vlerësojnë se këto raste tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës.