Rajoni

Kosovë, premtohet mbi 1 miliard euro buxhet për ushtrinë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, premtoi se në mandatin e ri qeverisës, për Forcën e Sigurisë do të ndahet mbi 1 miliard euro buxhet. Këtë e deklaroi gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë ndërsa foli për mandatin katërvjeçar të ekzekutivit. Kurti vuri në dukje se qeveria që drejton, ka arritur “rezultate të jashtëzakonshme” gjatë mandatit të plotë kushtetues.

Buxheti për ushtrinë është trefishuar, trajnimet jashtë vendit janë katërfishuar, investimet në armatim janë shumëfishuar përfshirë këtu dronët Bayraktar luftarakë dhe kontratën për funksionalizimin e fabrikës së municioneve. Mandatin e ri, ushtrisë do t’ia ndajmë mbi 1 miliard euro do të kemi fabrikë të municioneve dhe dronë ushtarakë ‘Made in Kosova’, pra që i prodhojmë vet.

Më 2024-ën, buxheti i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes ishte 153 milion, ndërkaq këtë vit ai është 207.8 milion euro. Paralajmërimet mbi rritjen e buxhetit për mbrojtjen vijnë në kohën kur Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon procesin e transformimit në ushtri dhe teksa shteti po ndërmerr hapa për të forcuar mbrojtjen e saj.

Nëntorin e kaluar, Kosova nisi procesin për hapjen e një fabrike për prodhimin e municioneve e firmosi një marrëveshje me një prodhues turk. Nga Turqia, vendi ka blerë dronë për ushtrinë, për municione. Po ashtu, qeveria njoftoi se do të ketë edhe një laborator për dizenjim dronësh.

Përveçse po synon që të prodhojë armë e municione, aktualisht Kosova është duke blerë armë të ndryshme e ndodhet në procesin e blerjes së mbi 200 sistemeve kundërjarore, Javelin nga Amerika e që pritet t’i kushtojnë shtetit 75 milion dollarë. Kurti tha se shteti po synon edhe të blejë helikopterë amerikanë, Black Hawk për FSK-në.

Ndërkaq, javët e fundit, Kosova ka ndërmarrë hapa të tjerë për avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë. Këtu përfshihet miratimi i një nisme mbi lidhjen e një marrëveshjeje kronizë për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushat e mbrojtjes e të sigurisë, si dhe një deklaratë tripalëshe me Shqipërinë e Kroacinë për forcimin e mbrojtjes.

Marrëveshja me SHBA-të, sipas qeverisë do ta ndihmojë Kosovën në ngritjen e kapaciteteve strategjike ushtarake. Ndërkaq, deklarata për bashkëpunim me Shqipërinë dhe Kroacinë është thënë se do t’i kontribuojë paqes në rajon.