“Nisma e Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë e të mbrojtjes është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Europian e NATO-s që duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë e qëndrueshmërisë në Europën Juglindore”. Kështu e komenton qeveria kroate deklaratën e nënshkruar më 18 mars, në Tiranë. Ndërsa Beogradi ngriti shqetësimin, Zagrebi thekson se qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.
Një aleancë e tillë, përveç anëtarësimit në NATO, as që është e nevojshme, theksohet në përgjigjen me shkrim të qeverisë kroate, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Në dallim nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s. Në reagimet e para ndaj nismës, presidenti serb, Aleksander Vuçiç ka deklaruar se me firmosjen e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.
Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua nga dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës: Federata e Bosnjë-Hercegovinës e Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia e Mali i Zi.
Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, qeveria kroate thotë se ky akord është zbatuar vazhdimisht në 29 vjet. Po ashtu, kujton se as Shqipëria e as Kosova nuk janë palë në të.
Në këtë kontekst, është krejtësisht e kotë të lidhet me Deklaratën e përbashkët, të nënshkruar mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të Mbrojtjes të vendeve mike, partnerëve dhe aleatëve.
Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes në Beograd, nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse e shohin si kërcënim nismën e tri vendeve ballkanike.
Por, Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se Beogradi zyrtar “e di fare mirë” se aleatët e NATO-s nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme kundër Serbisë.
Për më tepër, tri vendet e përmendura nuk paraqesin asnjë kërcënim për Serbinë.
Deklaratën e sheh si “një lëvizje që kontribuon në stabilitet, jo në destabilizim”. Edhe NATO komentoi Deklaratën, duke e cilësuar si marrëveshje mes tri vendeve.
Si organizatë, NATO nuk është pjesë e nismës e për këtë arsye, nuk ka pasur rol në procesin e konsultimit.