Me 10 vjet burg, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi serbin Sllagjan Trajkoviç për krime lufte në komunën e Vushtrrisë. Ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, ai u arrestua 3 vjet më parë dhe do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Ndër të tjera u akuzua për pjesëmarrje në vrasje, keqtrajtime, tortura të ndodhura në Reznik e të tjerë fshatra të Vushtrrisë në vitet ‘98-99. Aktakuza ndaj tij u ngrit më 12 korrik 2023 nga Prokuroria Speciale.
Trajkoviç ka qenë pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin të mijëra civileve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime gjatë luftës së fundit, por edhe të dhënies së vendimeve. Gushtin e kaluar, Prokuroria Speciale dorëzoi në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri më 1999-ën, u vranë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë u zhdukën. Afro 1 mijë e 600 vetë vazhdojnë të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendase e ndërkombëtare.