Rajoni

Kosovë, sot përpjekja e 49-të për konstituim/Sytë nga Fatmir Limaj!

Deputetët e zgjedhur të Kosovës në votimet e 9 shkurtit të këtij viti, sot mblidhen për të 49-ën herë, në vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit, duke filluar nga ora 11:00. Vijimi i kësaj seance vjen pas më shumë se pesë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.

Vazhdimet e deritanishme të seancës për konstituimin e legjislaturës së re kanë dështuar pasi koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

Albulena Haxhiu ka dështuar në të gjithas përpjekjet e shënuara për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur dhe po ashtu ka dështuar formimi i komisionit për një votim të fshehtë. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë, bashkë me Listën Serbe që mbështetet nga Beogradi zyrtar, nuk pranojnë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet që të ketë pasoja juridike për deputetët.

Ndër të tjera, kryetarja e shtetit vuri në dukje se janë duke “përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojmë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit”.

Ndërkaq, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku ka deklaruar se gjatë pasdites do të zhvillohet një takim mes kryetarit të kësaj partie, Fatmir Limaj e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili drejton Vetëvendosjen që fitoi zgjedhjet, por nuk ka votat e mjaftueshme. Në fokus është gjetja e një zgjidhjeje për konstituimin e Kuvendit.

Sipas Izmakut, nëse propozohet emri i Limajt për Kryetar Kuvendi, të hënën konstituimi është i garantuar, edhe pse deri më tani nuk ka ndonjë sinjal të qartë nga Lëvizja Vetëvendosje se do të ketë një akord, por siç thuhet “ekziston një ambient pozitiv”. Një ditë më parë, Limaj u takua me presidenten Osmani.