Rajoni

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet/ Drejt fundit afati i dhënë nga Kushtetuesja!

Deputetët e zgjedhur dështuan edhe sot që të konstituojnë Kuvendin e ri të Kosovës, ndonëse po përfundon afati i dhënë nga gjykata më e lartë e vendit për formimin e institucionit ligjvënës brenda 26 korrikut. Kjo është hera e 48-të që deputetët u mblodhën, çdo dy ditë që nga 15 prilli dhe dështuan të përmbushin detyrimin kushtetues.

Edhe në këtë mbledhje, PDK, LDK, AAK e Lista Serbe refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, shprehet se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej. Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.

Në seancën e 17 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së e AAK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë. Seanca dështoi dhe vazhdimi i radhës është më 19 korrik.

Ndërkohë, më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi që Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati 30-ditor, por pa sqaruar pasojat nëse ky afat nuk respektohet. Një gjë e tillë ka hapur rrugë për interpretime të ndryshme nga partitë politike, të cilat mbeten të ndara në qëndrimin e tyre ndaj zgjidhjes së situatës.

Javën e parë të korrikut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada institucionale. Pas përfundimit të konsultimeve, theksoi se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor të vendosur nga Kushtetuesja nuk është çështje vullneti, por detyrim kushtetues.

Osmani u bëri thirrje partive që të angazhohen seriozisht për të gjetur një zgjidhje sa më parë.