Rajoni

KQZ: Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se të 19 qendrat e votimit në pjesën veriore të Kosovës, ku sot mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, janë hapur. KQZ-ja mbajti konferencën e parë në orën 8:00 dhe paralajmëroi at të radhës për në orën 11:30.

Janë 18 mijë e 118 votues që do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në këto qendra.

Situata aktuale është e qetë dhe gjithçka po shkon sipas planit të paraparë, ndërsa vërehet numër jo i madh i qytetarëve, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë, të cilët kanë dalë në mëngjes për ta ushtruar detyrën e tyre të votës.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme është se po mbahen për herë të parë pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në përjashtim të një kandidateje të pavarur, dhe nga gjithsej 19 qendra, 6 janë të rregullta dhe 13 alternative.

Në katër komunat veriore janë gjithsej 19 qendra të votimit me 34 vendvotime, ndërsa të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona.

· Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor.

· Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

· Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.