Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit për qarkun e Kukësit, si për subjektet politike ashtu edhe kandidatët. Partia Demokratike fitoi dy mandate, Partia Socialiste, një. Nga demokratët, Flamur Hoxha dhe Isuf Çelaj do të jenë deputetë në Kuvendin e ri, ndërsa nga socialistët, Gerta Duraku.
Sipas tabelës së mbërritur në KQZ, në Qarkun Kukës votuan 40.894 zgjedhës. Vota të pavlefshme dolën 2.188. PD mori dy mandate me 62.27% të votave, PS një me 35.84% ndërsa nuk pati asnjë kundërshtim nga përfaqësuesit e partive politike për rezultatin.
KQZ miratoi projektvendimin “Për miratimin e tabelës për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore qarku Kukës, për subjektet zgjedhore dhe për kandidatët për deputetë për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021”.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme shqyrtohen rezultatet e verifikimit për disa kandidatë për deputetë në kuadër të dekriminalizimit.
KQZ pritet të analizojë rezultatin e verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme:
Për subjektin vetëdeklarues Artur Ismail Baku, kandidat për deputet i subjektit zgjedhor, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, Qarku Durrës.
Për subjektin Napolon Engjëll Laska, kandidat për deputet i subjektit zgjedhor “Nisma Thurje”, Qarku Tiranë.
Për subjektin Zef Kin Hila, kandidat për deputet i subjektit zgjedhor, “Partia Demokratike e Shqipërisë – Aleanca për Ndryshim”, Qarku Shkodër.
Për subjektin Adrian Vullnet Gjoka, kandidat për deputet i subjektit zgjedhor “Lëvizja për ndryshim”, Qarku Vlorë.
Në një tjetër zhvillim, po sot Qendra për Çështjet e Informimit Publik, INFOÇIP publikoi një analizë të problemeve zgjedhore që përfunduan në prokurori. Partia Demokratike ka bërë 50 denoncime në SPAK e disa prokurori në rrethe.
Me 17 kallëzime, Prokuroria e Lushnjes ka më shumë çështje për të shqyrtuar lidhur me abuzimet në zgjedhje”. “Rezulton se në SPAK janë depozituar kallëzime, për një numër prej 340 personash. Ka raste kur një individ është kallëzuar të paktën 8 herë. Prokuroria e dytë me numrin më të madh të kallëzimeve rezulton e Fierit.