Rajoni

Kreu i Këshillit Europian, Michel, apel Kosovës të fokusohet te dialogu me Serbinë!

Në një konferencë shtypi në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, kreu i Këshillit të Europës, Charles Michel tha se “fokusi i institucioneve të Kosovës duhet të jetë procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën”.

Të dyja palët duhet të përparojnë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja e të nisur më 2011-ën, deri tani, Kosova dhe Serbia kanë arritur 33 marrëveshje, por jo të gjitha zbatohen. Lidhur me këtë, Osmani deklaroi se “Si palë konstruktive, Kosova është e përkushtuar në procesin e dialogut me Serbinë”.

Për Kosovën, dialogu nuk është vetëm kërkesë nga ndërkombëtarët, por proces jetik. Që të arrihen rezultate konkrete në procesin e dialogut, edhe Serbia duhet ta njohë realitetin! Deri tani, Kosova nuk e ka bllokuar procesin e dialogut e një gjë të tillë nuk do ta bëjë as në të ardhmen.

Po ashtu, Osmani dhe Michel komentuan procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Michel u shpreh se “shtetet anëtare të BE-së duhet të vendosin për këtë çështje të rëndësishme”. Prej vitit 2016, vendi i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me BE-në. Presidentja Osmani nënvizoi se “liberalizimi mbetet çështje kryesore e duhet angazhim aktiv, që shtetet të votojnë”.

Deri tani ka pasur diskriminim dhe padrejtësi të thellë.

Duke ritheksuar faktin që “Kosova është e përkushtuar për stabilitet rajonal dhe vepron mbi bazë të vlerave evropiane”, Osmani nënvizoi se “ka ardhur koha që marrëdhëniet ndërmjet BE-së e Kosovës, të ngrihen në nivel më të lartë”.

Pavarësisht përkushtimit tonë, mospërmbushja e premtimeve në raport me rajonin, teston besueshmërinë te BE-ja, duke lënë hapësirë për ndikim të jashtëm. Por, kemi nevojë urgjente që BE-ja ta bëjë të qartë perspektivën europiane të rajonit dhe Kosovës.

Presidenti Michel bëri të ditur se javën e ardhshme do të takohet me liderët e 27 vendeve të BE-së, duke e cilësuar si mundësi “që të shfaqet uniteti për vlerat e përbashkëta që ndajnë”.

Për ne është shumë e rëndësishme që t’i kryejmë detyrat e shtëpisë e në këtë takim në fund të qershorit, duhet t’i konfirmojmë detyrimet politike ndaj Ballkanit.

Michel nxit Kosovën që të marrë pjesë në forumet rajonale e të zbatojë axhenda për tregun e përbashkët, për ta sjellë rajonin më afër.