Më 9 nëntor nuk do të ketë zgjedhje në Bashkinë e Tiranës. Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi konfirmoi se do të respektohet vendimi i marrë dje nga Gjykata Kushtetuese, për të pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj lidhur me zgjedhjet në kryeqytet.
Eshtë pezulluar që ditën e djeshme. Më 9 nëntor është e sigurt që do të zhvillohen zgjedhjet për 5 bashkitë të tjera, përjashto Bashkinë Tiranë. Në momentin që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar efektet për atë pjesë të dekretit të presidentit, është sikur ai dekret të mos ekzistojë në një lloj mënyre për atë pjesë për të cilën ka urdhëruar gjykata.
Dhe do të ishim në shkelje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, nëse KQZ-ja do të vazhdonte me procesin përgatitor të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Ndaj e thashë se bazuar në urdhërimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet ta respektoj vendimin. Kjo është e qartë në gjykimin tim.
KQZ-ja nuk mund të kryejë asnjë veprim që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor në Bashkinë e Tiranës, është çështje e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi ankimin që është bërë në gjykatë nga zoti Veliaj në lidhje me vendimin për shkarkimin e tij. KQZ-ja nuk po zhvillon asnjë veprimtari që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor për Tiranën për datën 9 nëntor, për shkak të urdhërimit të Gjykatës Kushtetuese.
Celibashi konfirmoi se procesi i përgatitjes për zgjedhje do të vijojë normalisht për pesë bashkitë e tjera të vendit, ku u krijuan vakancat.
I pyetur nëse KQZ-ja është bërë palë në shkelje të Kushtetutës, pasi po përgatitej për zgjedhjet në Tiranë ndërkohë që Veliaj ankimoi dekretin në Kushtetuese, Celibashi tha:
KQZ-ja nuk ka patur asnjë detyrim, nuk detyrohet as nga Kushtetuta as Kodi, që të presë, sa kohë nuk ka vendimmarrje se çfarë ndodh me pretendimet që njëra palë ka kundrejt dekretit. Nëse ne do të diskutonim dekretin do të kishim marrë kompetencën e një organi tjetër dhe ishim në shkelje. Tani që Kushtetuesja vendosi, po respektojmë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është shumë e qartë.
I pyetur në lidhje me skenarët për zgjedhjet në Tiranë që do të pasojnë vendimin final të Gjykatës Kushtetuese, më 31 tetor, Celibashi tha se kjo mbetet të shihet.
Se çfarë do të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim apo një tjetër këtë nuk dua ta them se ndryshe do të isha një komentator. Si kreu i KQZ-së, vlen të them se Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 31 për të vendosur mbi këtë çështje.
Në çdo lloj versioni qoftë KQZ-ja, qoftë Këshilli i Ministrave apo Presidenti, do të shohim nëse do të ketë vend apo jo për të ndërmarrë ndonjë veprim të caktuar. Nuk preferoj të flas ç’duhet të bëhej në një situatë hipotetike.