Aktualitet

Kreu i PD-së bëri thirrje për mbështetjen e protestës, të rinjtë e FRPD-së zhurmojnë folësit kur thërrasin “Berisha n’burg”!

Ndërsa disa nga qytetarët po mbanin fjalën në podiumin e vendosur para Kryeministrisë, duke thirrur “Berisha n’burg”, disa të rinj të FRPD-së kanë nisur të zhurmojnë.

Një nga folëset, e cila po mbante fjalën me megafon, u ka bërë thirrje të rinjve të mos ndërhyjnë në thirrjet e tyre.

“Çuna nuk ka parti këtu, nuk ka parti. Është jashtë partisë, është për Shqipërinë“, ishte përgjigja që folësja i dha të rinjve të FRPD-së.

Të rinjtë e FRPD-së ishin ata që nisin marshimin të parët nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, duke u shkëputur nga pjesa tjetër e qytetarëve.

Ndërkohë, paraditen e sotme, vetë kreu i PD-së u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të marrin pjesë në protestë, por pa simbolet e PD-së.

Dy ditë më parë, nisja e protestës u shoqërua me tensione mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të FRPD-së. Qytetarët u kërkuan përfaqësuesve të FRPD-së të largoheshin nga protesta, duke theksuar se nuk duan asnjë përfaqësim politik në tubim. Sakaq, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, u akuzua se po prishte protestën.

Mbahet sot dita e 11-të e protestës së qytetarëve në Tiranë, e cila sot është njoftuar si një protestë kombëtare ku u janë bërë thirrje të gjithë qytetarëve nga Shqipëria, që të mblidhen në kryeqytet.

Qytetarët janë grumbulluar fillimisht në sheshin Skënderbej, ashtu sikurse kanë bërë edhe ditët paraardhëse, për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, e për t’u stacionuar para zyrës së Edi Ramës.

E ndërsa ka nisur grumbullimi dhe aktivisti Arben Kola ka nisur të mbajë fjalën hapëse, nga turma janë dëgjuar thirrje që të hiqen flamujt amerikanë që po valëviten nga disa protestues të tjerë.

Kola dëgjohet duke u thënë se kjo është protestë shqiptare, por se populli ynë nuk është kundër Amerikës.

“Kanë ardhur persona të ndryshëm që duan të prishin protestën. Ju lutem mos bini pre e provokimeve, përndryshe do të kërkojmë ndihmën e Policisë së Shtetit, të arrestohen menjëherë”, u shpreh me megafon një prej protestuesve.

“Ejani të ngremë një forum kombëtar gjithëpërfshirës veç partive të sistemit të vjetër dhe përveç atyre forcave që duken si të reja, por nuk janë aq të reja sa duket. Të gjithë të tjerët të bashkohemi në një tryezë dhe ta rrëzojmë këtë sistem të kalbur. Ju lutem të mos e zvogëlojmë këtë protestë, ta shtojmë”, tha një prej protestuesve që mori fjalën në podiumin e improvizuar para kryeministrisë.
Ata vijojnë me thirrjet për ndryshimin e klasës politike, teksa edhe më herët kanë paraqitur 5 kërkesa:

-Dorëheqjen e qeverisë;
-Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë;
-Shfuqizimin e Paketës së Maleve;
-Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura;
-Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.