Porti i Durrësit sot priti anijen kroçierë “Nautica”, pjesë e flotës së kompanisë Oceania Cruises, e ankoruar në kalatën nr. 5 me 665 turistë në bord, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia e vende të tjera.
Me gjatësi 181 metra dhe me flamur të Ishujve Marshall, mjeti lundrues rikthehet edhe këtë vit në Portin e Durrësit, si pjesë e itinerarit të tij në Mesdhe.
Gjatë qëndrimit ditor, turistët po vizitojnë Durrësin dhe destinacione të tjera me interes historik, kulturor e turistik.
Me mbërritjet e njëpasnjëshme të anijeve turistike gjatë ditëve të fundit, Porti i Durrësit ka hyrë zyrtarisht në sezonin e kroçerave, duke vijuar të mirëpresë vizitorë nga vende të ndryshme të botës.