Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, tha se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, ndaj kërkoi të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut. Para takimit të Këshillit për Punët e Jashtme në Luksemburg, deklaroi:
Ne shohim se po rriten tensionet dhe përfundimisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit. Kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi.
Kallas nuk përmendi shtetet, ku sipas saj po rriten tensionet. Por, siç dihet, autoritetet në Republikën Sërpska të Bosnjës kanë ndërmarrë disa veprime, duke rritur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për shkëputjen e mundshme të këtij entiteti serb nga Bosnja.
NATO tha se nuk do të lejohet që të rrezikohet paqja në Bosnjë. Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë disa opsione veprimi, duke theksuar se nuk duhet të ndodhë “shpërbërja e vendit dhe një konflikt i ri”. Po ashtu, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta që prej vitit 2023 kur kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave të veriut, me shumicë serbe.
Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre serbë. Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht. Ndërkaq, kryediplomatja europiane bëri të ditur se një natë më parë pati një “darkë shumë të mirë me miqtë nga Ballkani Perëndimor”.
Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Mali i Zi, Kosova është e fundit sa i përket rrugëtimit drejt BE-së.
E ardhmja europiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Europë më demokratike, më të barabartë e më të bashkuar. Prania dhe angazhimi ynë i fuqishëm në rajon janë burim stabiliteti dhe sigurie për të gjithë kontinentin, vuri në dukje ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla përmes një postimi në Facebook.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar nga autoritetet në Bruksel. Po ashtu, Kosova është e vetmja në rajon që ende nuk e ka statusin e shtetit kandidat.