Rajoni

Kallas: Jemi duke i analizuar gabimet e dialogut Kosovë-Serbi!

“Bashkimi Europian është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje”. Kjo u theksua sot në Podgoricë nga shefja e Politikës së Jashtme të Bllokut, Kaja Kallas.

E pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha:

Ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili e mori detyrën në shkurt. Çfarë është me rëndësi për neve është normalizimi i marrëdhënieve, sepse pa këtë, asnjëra nga to nuk mund të ecë përpara ne rrugën drejt Bashkimit Europian.

Kallas nuk dha më shumë hollësi se cilat mendon që ishin gabimet apo çfarë nuk ka shkuar deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku. Me dialogun e zhvilluar ndër vite dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, procesi ka ngecur dhe tensionet janë rritur.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar që të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se është e detyrueshme për to.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 2 prill, Kallas u shpreh se Bashkimi Europian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër.

Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje dhe do ta bëj këtë së bashku me përfaqësuesin e Posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen] në ditët në vijim.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023, në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë raund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve. Me vizitën në Podgoricë, Kallas nisi turin zyrtar në shtetet e Ballkanit Perëndimor, të parin në rajon në cilësinë e saj si shefe e diplomacisë europiane.

Nga dita e sotme e deri më 9 prill, Kallas do të qëndrojë edhe në Shqipëri e Bosnjë-Hercegovinë. Zyrtarja e lartë europiane nuk ka paralajmëruar vizitë në Kosovë e Serbi.