Kryeministri Albin Kurti tha se institucionet e Kosovës identifikuan 45 persona që sipas tij kanë marrë pjesë në sulmet në veriun me shumicë serbe.
Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona, identifikim i saktë, që kanë marrë pjesë në sulme, në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Por, njëkohësisht kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës te shok bombat, por edhe të plumbave qofshin të automatikëve ose revolverëve.
Deri tani, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona për sulmet ndaj gazetarëve, si dhe për ngjarjet e dhunshme të 29 majit në Zveçan kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke shkaktuar lëndimin e dhjetëra personave nga të dy palët.
Kurti vuri në dukje se as “as çereku” i të dyshuarve për sulmet në veri nuk janë arrestuar, ndaj sipas tij është kjo situatë.
Të enjten e kaluar, më 29 qershor, Qeveria e Kosovës shpalli “terroriste” “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, organizata që besohet se veprojnë në veri të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se Qeveria e Kosovës nuk u koordinua me ta dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për këtë vendim. Kur u pyet lidhur me reagimin e Uashingtonit, Kurti u shpreh se Kosova ka “fakte e dëshmi të panumërta se bëhet fjalë për organizata terroriste”.
Sot dhe nesër, Serbinë e Kosovën i vizitojnë kryeministrat e Holandës, Mark Rutte dhe Luksemburgut, Xavier Bettel. Vizitën duket se do ta shfrytëzojnë për të dërguar mesazhin e Bashkimit Europian e NATO-s ndaj liderëve në Kosovë e Serbi lidhur me nevojën e uljes së tensioneve. Duhej të merrte pjesë dhe kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo. Por, e anuloi pjesëmarrjen për shkak të një krize të brendshme politike.
Sipas burimeve diplomatike, vizita ishte planifikuar si “një qasje e përbashkët e vendeve të BENELUKS-it” në disa çështje të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Holanda, Belgjika e Luksemburgu janë shumë të interesuara për një bashkëpunim të ngushtë, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me emigracionin.