Aktualitet

Kryeministri grek Mitsotakis kërkon lirimin e Fredi Belerit!

Arrestimi i kandidatit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis iu bëri thirrje autoriteteve shqiptare ta lirojnë menjëherë. Nga Lesbosi, ku ishte në një miting elektoral, shefi i qeverisë së Athinës deklaroi: Nuk do të pranoj asnjë tolerancë për shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek. U bëj thirrje autoriteteve shqiptare të lirojnë menjëherë kandidatin në fjalë për t’iu rikthyer procesit zgjedhor!

Në mes të fjalimit të tij, Mitsotakis tha:

Më lejoni të hap një parantezë e të them diçka për një ngjarje jashtëzakonisht të pakëndshme që ndodhi në Shqipërinë tonë fqinje, mëngjesin e sotëm. Fatkeqësisht u arrestua kandidati për kryetar të Bashkisë Himarë dhe anëtari i Minoritetit Kombëtar grek, Fredi Beleris. Dua që këtu nga Lesbosi t’i dërgoj një mesazh mikes sonë, Shqipërisë: tolerancë për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke!”. “Nëse Shqipëria dëshiron të afrohet me Bashkimin Europian, ka detyrimin të sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme vendore, si dhe të lirojë menjëherë ata që ka burgosur, që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Fredi Beleri u arrestua si autor i dyshuar për “Korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”. 50-vjeçari u kap në flagrancë në Himarë, 14 minuta pas mesnate, në bashkëpunim me të tjerë, duke premtuar e dhënë shuma monetare personave të ndryshëm, me qëllim blerjen e votës. Në vitin 2003, Beleri ka qenë i dënuar me tre vjet heqje lirie “Për nxitje e urrejtje nacionale”. Kandidati Beleri u përgjua, për një pazar 40 mijë lekë për 8 vota. Policia përdori agjent të infiltruar.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta sot ishte në zyrën e Sali Berishës dhe në dalje foli për gazetarët duke komentuar arrestimin e Belerit. Meta përsëriti se “ky është një inskenim dhe provokim i Ramës me policinë e Bledi Çuçit”.

Kjo vjen nga një njeri i papërgjegjshëm, i cili po përjeton një dramë të madhe: atë të orëve të fundit që po i vijnë sundimit të tij monist në pushtin vendor. As në vendin më të prapambetur të Afrikës nuk ndodhin këto gjëra. Sa i takon inskenimit të tij përmes policisë së Çuçit, për të provokuar ngjarje të tilla, dua t’ju siguroj që fitorja e opozitës në qarkun e Vlorës do të jetë më e thella. Shqetësimi i tij është pikërisht humbja e këtyre zgjedhjeve. 12 drejtorë Hipoteke ka ndërruar sepse ka plan vetëm të grabisë pronat qytetarëve të bregut. Madje ua ka grabitur. Kështu që asgjë nuk na habit sepse ka një javë që inskenon ngjarje të tillë kriminale për arsye se është i tmerruar nga vota e lirë. Ai i do bashkitë e Himarës dhe Sarandës, i do vetëm për të lubrifikuar më tej gjithë pastrimin e parave që do të bëjë në këtë zona.