Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Kryeministri Rama priti homologun e tij me një ceremoni para godinës së Kryeministrisë dhe pas një orë bisedimesh, dy liderët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Nderkaq Rama tha se: “Marrëdhënia me Bullgarinë është jashtëzakonisht pozitive. Borisov ka bërë avokatin e Shqipërisë në BE dhe Bullgaria sot jep shembull të shkëlqyer në bashkëpunimin me BE. Miqtë tanë bullgarë na ofrojnë ndihmën me eksperiencën e tyre”, tha Rama. Ndërkohë, Borissov u shpreh se Shqipërisë duhet t’i jepet një datë dhe rrugë për fillimin e negociatave. Sa i përket rrezikut nga terrorizmi, Borissov dha idenë e ndërtimit të një qendre koordinimi për të gjithë personat që kanë qenë pjesë e ISIS. “Në Shqipëri të bëhet një qendër koordinimi për të gjithë Ballkanin për të trajtuar të gjithë personat që kthehen në vendlindje pasi kanë qenë pjesë e ISIS”, tha Borissov. Lidhur me vendimin e vendeve anëtare në fund të qershorit, kryeministri bullgar nuk e mohoi që në gjirin e BE-së, janë tre, vendet që kanë shprehur skepticizëm për një “PO” ndaj Shqipërisë, por nënvizoi se ka ende kohë për t’i bindur që të ndryshojnë qëndrim.