Kjo fundjavë festash dhe pushimi për qytetarët nuk pritet të jetë e tille për politikën e vendit. Dy forcat kryesore politike kanë paralajmëruar aktivitete të rëndësishme që rikthejnë vëmendjen te zhvillimet e brendshme dhe përplasjet në terren.
Paraditen e së shtunës, Partia Socialiste mbledh në Lalëz Asamblenë Kombëtare, ku në fokus do të jetë organizimi i brendshëm i partisë dhe ristrukturimi i saj në prag të sfidave të ardhshme politike. Në Asamblenë socialiste do të diskutohet mbi zgjedhjet e reja në strukturat drejtuese të degëve të kësaj force politike, si dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.
Ndërkohë, të dielën pasdite, në ditën e Sulltan Novruzit, Partia Demokratike pritet të zbresë sërish në shesh me një protestë kombëtare kundër qeverisë, duke sinjalizuar vijimin e aksionit opozitar. Opozitarët kërkojnë rrëzimin e qeverisë, largimin e Edi Ramës nga detyra e kryeministrit dhe zgjedhjet të lira dhe të ndershme.
Gjithçka ndodh pasi Partia Popullore Europiane (PPE) ka dorëzuar në Parlamentin Europian 26 amendamente në raportin e 2025 për Shqipërinë, duke theksuar me forcë mangësitë sistemike në zgjedhje, drejtësi dhe qeverisje. Raporti i propozuar nën drejtimin e Reporterit për Shqipërinë, Andreas Schieder, nxjerr në pah dështimet serioze të qeverisë shqiptare në fusha kyçe si zgjedhjet, drejtësia, administrata dhe qeverisja. Raporti thekson se pa reforma të thella dhe të pakthyeshme, Shqipëria rrezikon të humbasë besueshmërinë ndaj Bashkimit Evropian.