Kryeministri Edi Rama sot uroi të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë, me tingujt e këngës “Për ty, Atdhe”, si dhe koreografinë kuqezi të fëmijëve nga Vlora, në Tiranë e Shkodër.
Me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë.
Sot në Shqipëri kujtohet Dita e Pavarësisë kur më 28 nëntor 1912, Shqipëria u vetëshpall e pavarur, në Vlorë nga Ismail Qemali. Morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare por 40 ishin ata që nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Në këtë 112-vjetor, festohet kudo ka shqiptarë, duke qenë të bashkuar rreth flamurit kombëtar.
28-ta është datë e veçantë për shqiptarët pasi se në dy vite të ndryshme kanë ndodhur dy ngjarje historike për Shqipërinë. Më 28 nëntor 1443, heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj. Kjo datë hapi një faqe të re në historinë e qëndresës shekullore antiosmane. Zoti i Arbërisë, ashtu siç Gjergj Kastrioti e nënshkroi veten, la fushëbetejën e Nishit, për t’iu drejtuar Krujës në krye të 300 kalorësve.
469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, i quajtur edhe si “Nëntori i dytë”, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili i cili ngriti flamurin në Vlorë. 28 Nëntori është shpallur gjithashtu ditë festë edhe në Republikën e Kosovës.
Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke deklaruar “Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
Ismail Qemali ishte nisur që më 19 nëntor nga Trieste në Itali drejt brigjeve të Shqipërisë, për të shpallur pavarësinë. Më 21 nëntor do të zbarkonte në Durrës prej vaporit “Baron Bruck”. Në qytetin bregdetar u prit nga Dom Nikollë Kacorri, i cili pas një jave do të ishte zv.kryeministri i parë i qeverisë së 28 nëntorit.
Sipas letërkëmbimit mes Eqrem Bej Vlorës e Mustafa Krujës, ngritja e flamurit ishte menduar të bëhej më 22 nëntor në Durrës, me qëllim parandalimin e përparimit të mëtejshëm të ushtrive pushtuese në territorin e vendit. Por për shkak të gjendjes së nderë në qytet, Ismail Qemali lajmëroi telegrafisht delegatët nga mbarë vendi që të drejtoheshin për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë.