Rajoni

Kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë në Bruksel/BE-ja kërkon normalizimin!

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, sot qëndrojnë në Bruksel për takime në kuadër të dialogut, në një përpjekje për të kthyer procesin në normalitet. Me ftesë të të dërguarit të posaçëm të Unionit për Dialogun, Mirosllav Lajçak, në kryeqendrën europiane ndodhen Besnik Bislimi e Petar Petkoviç. Sipas burimeve të BE-së, dy janë qëllimet kryesore të takimeve që Lajçak do të ketë me shefat e delegacioneve:

I pari është fokusi në zbatimin e plotë të Marrëveshjes, për të cilën palët ranë dakord më 27 shkurt në Bruksel, si dhe aneksit për zbatim të dakordësuar në Ohër, në muajin mars.

Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Për këtë, Kosova e BE-ja ranë dakord në një takim të Lajçakut dhe shefit të delegacionit të Kosovës, Bislimi.

Kosova thotë se i ka ndërmarrë hapat për të cilat ra dakord.

Takimet nisin në mëngjes, por nuk dihet se deri kur mund të zgjasin.

Edhe pse burimet e Bashkimit Europian thonë se synim është që delegacionet e Kosovës e Serbisë të takohen edhe mes tyre, një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Kjo do të varet nga vullneti dhe gatishmëria e palëve, më saktësisht kryenegociatorëve, për t’u takuar mes tyre. Por ka një synim që të ketë dhe takim trepalësh.

Palët po refuzojnë të kenë takime të përbashkëta.

Kështu ndodhi dhe herën e fundit kur në Bruksel ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç. Ata patën takime të ndara me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell, por jo mes tyre.

Prej fundit të muajit maj, tensionet në veri të Kosovës e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave, duke hequr fokusin nga zbatimi i marrëveshjes. Në këtë fazë, BE dëshiron ta ringjallë procesin e të kthejë një lloj normaliteti në dialog, që palët të mund të avancojnë drejt normalizimit.