Dëbora mbulon Kukësin, 10 centimetra në qytet e 30 në zonat më të larta të qarkut verilindor ku temperaturat kanë zbritur në minus 3 gradë Celcius. Problematike paraqitet era e fortë që shkakton grumbullimin e borës, që e merr në kodrina duke e mbledhur në lugina e në disa raste, trashësia e saj kalon mbi një metër.
Në të gjitha rrugët kombëtare ka vështirësi në lëvizje e këshillohet që qytetarët të bëjnë kujdes të shtuar në përdorimin e tyre e në rastet kur nuk është e domosdoshme, të shmangin qarkullimin. Nga subjektet kontraktore vazhdon puna për pastrimin e rrugëve nga bora, si dhe kriposjen.
Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk jepen raportime mbi problematika emergjente ndërsa pa energji elektrike janë njësitë administrative Kolsh, Surroj, Arrën të Bashkisë Kukës. Po ashtu, fshatrat Cahan, Mujaj-Dajç në Qendër-Krumë, Kishaj e Pogaj në njësinë Gjinaj, si edhe Peraj e Zgjec të njësisë administrative Golaj në Bashkinë Has.
Edhe Bulqiza është përfshirë nga reshje të dendura dëbore. Kalimi në akset nacionale Bulqizë-Peshkopi, Bulqizë-Tiranë, Ura e Çerenecit-Librazhd, Qafë e Buallit-Krastë bëhet me zinxhirë dhe vështirësi, për shkak të erës së fortë.
Në qytet, trashësia e borës ka shkuar në 20 centimetra ndërsa në fshatra të njësive administrative Ostren, Trebisht, Martanesh, Zerqan, Fushë Bulqizë, Shupenzë, nga 20 në 50 cm.
Po ashtu, raportohet se reshjet e dëborës kanë bllokuar Bypass-in e Rrugës së Arbrit. Policia bën thirrje që drejtuesit e mjeteve të përdorin rrugën e vjetër në drejtim të Tiranës, si edhe përsërit apelin që të mos lëvizin pa zinxhirë për shkak se situata nga reshjet, sa vjen e përkeqësohet.