Aktualitet

Bllokohet sërish Qafë Thora, shkëputen masivë dëbore nga shpatet malore!

Segmenti i Qafë Thores në zonën e tuneleve është ribllokuar pas aktivizimit të ortekëve të borës. Reshjet intensive të mëngjesit dhe rritja e temperaturave deri në 0°C kanë favorizuar shkëputjen e masiveve të dëborës nga shpatet malore, duke krijuar rrezik për qarkullimin.

Aktualisht rruga mbetet e bllokuar, ndërsa rreziku për rënie të tjera ortekësh vazhdon i lartë. Strukturat përgjegjëse dhe firma e mirëmbajtjes po monitorojnë situatën e paralajmërojnë drejtuesit e mjeteve të shmangin segmentin derisa të kryhen ndërhyrjet e nevojshme.

Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar problematika në Rrugën e Arbrit, rreth 2 kilometra nga Tuneli i Murrizit, në dalje nga krahu i Tiranës. Një masiv i madh i skarpatës anësore është çarë në pjesën e betonuar dhe ka rrëshqitur drejt trupit të rrugës.

Fatmirësisht, betoni anësor mbrojtës ka arritur ta mbajë masivin pa dalë në karrexhatë, duke shmangur deri tani bllokimin e qarkullimit dhe duke mundësuar vazhdimësinë e trafikut.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve, veçanërisht atyre që lëvizin nga Tirana drejt Dibrës, të tregojnë kujdes të shtuar në këtë segment rrugor, për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e tokës, reshjet e vazhdueshme dhe prania e ujërave nëntokësore.

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të ujërave, duke bërë që lumi Seman të dalë nga shtrati. Si pasojë, ka prezencë uji në tokat bujqësore që ndodhen brenda argjinaturave në disa zona.

Situata paraqitet problematike në fshatrat Suk 1, Arapaj, Belinë, Kallm, Mbrostar dhe Petovë, ku sipërfaqe të konsiderueshme toke janë përmbytur.

Aktualisht, prurjet në lumin Seman janë në kuota të larta, por në tendencë uljeje. Ndërkohë, furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon normalisht.

Sa i përket lumenjve të tjerë, prurjet në Vjosë dhe Shkumbin janë në kuota mesatare.