Kryeministri Kurti, kryeparlamentari Konjufca e familjarë bënë homazhe te përmendorja kushtuar të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Kurti tha se vendi ka nevojë që kriminelët, fajtorët, ekzekutorët e urdhërdhënësit e Serbisë të shkojnë pas hekurave. Sipas tij, për këtë nevojitet mbështetje ndërkombëtare, krahas mobilizimit kombëtar. Kurti deklaroi:
Përveçse i rrëmbeu më të dashurit e familjeve të shumta, të familjeve të popullit tonë, gjithashtu edhe shumë prej tyre ua rrëmbeu edhe kufomat më pas në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës. Në pesë varreza masive në Serbi janë gjetur deri më tani rreth 950 kufoma dhe janë mbi 1600 të cilët ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit. Kemi nevojë për drejtësi, kemi nevojë për përgjegjësi, kemi nevojë që kriminelët, fajtorët, ekzekutorët e urdhërdhënësit të ndodhën prapa grilave dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetje ndërkombëtare, por edhe mobilizimi kombëtar. Nuk ka ditë më të duhur se 27 prilli për t’i bërë thirrje edhe një herë Prokurorisë së Shtetit, që ato mijëra dëshmi që kemi të shndërrohen në aktakuza.
Kurti u pyet edhe për takimin e 2 majit në Bruksel:
Unë pres që ashtu me urgjencë të trajtohet në takimin e 2 majit çështja e të pagjeturve, e cila nuk i ka viktimë vetëm të pagjeturit, por edhe familjes së tyre dhe mbarë popullin tonë, meqenëse pikërisht të pagjeturit janë një situatë e veçantë ku ankthi është edhe më i madh se sa pikëllimi, ku zemërimi është edhe më i madh se sa vajtimi, andaj pres që në datën 2 maj, nga ndërmjetësit, nga lehtësuesit europianë, siç e kemi thënë në Ohër më 18 mars, ta trajtojmë me urgjencë këtë çështje!
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se “padyshim që njëri prej krimeve më të tmerrshme të gjenocidit të Serbisë, ishte rrëmbimi dhe zhdukja me dhunë e mijëra qytetarëve shqiptarë nga ana e aparatit shtetëror, ushtarak dhe policor të Serbisë”.
Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini tha se familjet e të pagjeturve janë të zhgënjyer që nuk është bërë gjë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.