Rajoni

Kurti takoi senatorët amerikanë, u diskutua për dialogun me Serbinë!

Kryeministri Albin Kurti ka takuar senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit, përfshirë dialogun me Serbinë.

Kurti ka thënë se në këtë takim është theksuar rëndësia që të gjitha shtetet demokratike të qëndrojnë kundër agresionit rus.

“Demokracia është sistemi edhe më i fortë dhe më i brishtë. Andaj, duhet ta kultivojmë dhe ta mbrojmë. Diskutuam edhe për zhvillimet e fundit në vend, progresin edhe synimet përpara. Diskutuam edhe për raportet me fqinjin tonë, Serbinë”, ka thënë Kurti.

Para takimit me Kurtin, senatorët amerikanë janë pritur edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Aty kanë theksuar mbështetjen e shteteve të Bashkuara për Kosovën si dhe kanë kërkuar që Serbia të ndalojë së penguari Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Senatorët amerikanë kanë kërkuar që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Kosova këtë vit të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, u takuan më 22 maj në Prishtinë me presidenten, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Senatori Murphy tha se si Kosova, ashtu edhe Serbia janë para zgjidhjeve të vështira.