Sot seanca e konstituimit të legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Kosovës që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit e ku duhet që deputetët të bëjnë betimin dhe të zgjidhen kryetari e nënkryetarët. Si fituesja e zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje i kërkohet të propozojë emrin për kryeparlamentarin e ri, për zgjedhjen e të cilit duhen 61 vota. Deri tani nuk dihet se kë do të propozojë LVV-ja për këtë post. Konstituimi i Kuvendit i hap rrugën formimit të qeverisë. Por, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ende nuk ka njoftuar nëse i ka siguruar votat për ekzekutivin.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se do të ketë një qëndrim të përbashkët me partitë e tjera opozitare, PDK-në e LDK-në sa i përket votimit të kryeparlamentarit. Haradinaj theksoi se në parim, partia e tij është për konstituimin e Kuvendit.
Në princip ne kemi qenë dhe do të jemi për konstituimin e Kuvendit. Por, nuk do të ndahemi me opozitën, u shpreh Haradinaj në prag të nisjes së seancës konstituive.
Ndërkaq, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk pranoi të tregojë nëse do të japë votat për kryeparlamentarin, që do të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që doli e dyta në zgjedhjet e 9 shkurtit, nisën të hyjnë në sallën e seancave plenare. Më herët, kjo parti ka deklaruar se nuk do ta votojnë kryeparlamentarin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, tha se do të mbështesë çdo kandidat që do ta propozojë Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentar. Sa i përket mbështetjes së qeverisë nga LVV-ja, Berisha tha se “ende nuk kemi marrëveshje”.
Ne jemi për të ndërtuar institucionet e Kosovës, pastaj shohim se si do të veprojmë.
Shefja e re e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se partia e saj nuk ka ndryshuar qëndrim dhe nuk do të votojë për propozimin e LVV-së për kryeparlamentarin.
Nëse kanë propozim për emrin e kryeparlamentarit, duhet t’i kenë edhe votat për të.
Seanca e konstituimit nisi pak pas orës 11:00, teksa në sallë janë të pranishëm deputetët e LVV-së, LDK-së, PDK-së, AAK-së, Listës Serbe, si dhe komuniteteve të tjera joshumicë.