Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, sot Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancën e konstituimit. Seanca e caktuar të nisë në orën 10:00, u thirr nga presidentja Vjosa Osmani, më 1 prill. Sipas Rregullores së Kuvendit, deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit, punimet i drejton deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga ai më i riu në moshë.
Në rastin konkret, ata janë Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës. Në seancë nuk ka debat, por rendi i ditës fillon me caktimin e një deputeti nga secili prej subjekteve politike të përfaqësuara në parlament për Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve.
Pas verifikimit të vlefshmërisë së mandateve të deputetëve, si dhe kuorumit, deputetët bëjnë betimin solemn. Më pas, Kuvendi procedon me zgjedhjen e kryetarit, post që i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si partia me numrin më të madh të deputetëve. Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit duhen të paktën 61 vota. Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve bën përmbylljen e konstituimit të institucionit ligjvënës të Kosovës.
Deri tani, Lëvizja Vetëvendosje, që siguroi 48 vende në Kuvend, nuk e ka bërë të ditur emrin e kandidatit të saj për postin e kryeparlamentarit dhe as nëse ka arritur të sigurojë votat e domosdoshme për ta zgjedhur.
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, me 24 deputetë, njoftuan se nuk do të marrin pjesë në votimin për kryeparlamentarin e ri, pa një “zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën”.
Lidhja Demokratike e Kosovës, me 20 deputetë në Kuvend, nuk ka saktësuar nëse do ta votojë të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar. Por, deklaroi se kush nuk ka 61 vota, nuk duhet të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që bashkë me partneren në koalicion, Nismën Socialdemokrate kanë 8 deputetë në Kuvend, theksuan se “në parim do të votojnë për kryeparlamentarin e ri”, të propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
Nga partitë e komuniteteve joserbe, sipas kryetarit të Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, janë siguruar 7 vota. Nëse zgjidhet kryetari i Kuvendit do të procedohet me zgjedhjen e nënkryetarëve, nga tri parti opozitare shqiptare e nga një nënkryetar nga komunitetet pakicë joserbe, si dhe nga serbët.