Rajoni

Skenarët nëse nuk zgjidhet kryeparlamentari i Kosovës!

Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, që do të përmbyllte konstituimin e parlamentit, bëhet e pamundur në rast se dështon zgjedhja e kryeparlamentarit, për shkak të mungesës së një emri nga partia fituese ose për çdo arsye tjetër. Rregullorja e Kuvendit thekson se nëse seanca ndërpritet, ndërprerjet “nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) sqaruan për Radion Evropa e Lirë se kufizimi prej 48 orësh për ndërprerjet e seancës së konstituimit kanë për qëllim të garantojnë vazhdimësi e funksionalitet të konstituimit të Kuvendit.

Ky afat përbën kufizim maksimal kohor, brenda së cilit mund të ndërpritet apo pezullohet një seancë, para se të rifillojë.

Praktikisht, kjo nënkupton se nëse sot nuk konstituohet Kuvendi, atëherë seanca duhet të ndërpritet, por një e re duhet të mbahet deri të enjten në të njëjtin orar. Një afat i tillë, prej 48 orësh, vlen pas çdo ndërprerjeje.

Mosrespektimi i këtij afati përbën shkelje procedurale dhe mund të përdoret si bazë për sfidimin e çështjes edhe në Gjykatën Kushtetuese, nga e cila me gjasa mund të kërkohet interpretim mbi zvarritjen apo bllokimin politik të konstituimit të Kuvendit, sqarojnë nga KDI-ja.

Sipas Eugen Cakollit nga KDI-ja, ka edhe një skenar tjetër, kur disa deputetë të LVV-së e pakicave që janë pjesë e qeverisë në detyrë nuk japin dorëheqje nga funksionet ekzekutive.

Siç shkroi Cakolli në Facebook, “në një skenar të tillë, opozita do të mund të refuzonte që të votonte raportin e komisionit për vlefshmërinë e mandateve, duke kontestuar mandatet e atyre që ende janë në detyrë qeveritare. Pa miratimin e këtij raporti, nuk do të mund të bëhej betimi i deputetëve dhe Kuvendi s’do të mund të kalonte në faza të tjera”.

Ky është një bllokim procedural me bazë juridike, që vendos presion mbi anëtarët e kabinetit të dorëhiqen për të mundësuar konstituimin. Megjithatë, as ky skenar nuk i konvenon opozitës, pasi për pasojë nuk fillon konsumimi i afateve për përpjekjen e partisë fituese për të formuar institucionet, shkroi Cakolli.

Nëse në seancën e së hënës zgjidhet kryetari i Kuvendit e nënkryetarët, si dhe përfundon konstituimi i legjislativit, atëherë hapet rruga për procesin e formimit të qeverisë së re të Kosovës.