Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ku Opozita nuk merr pjesë. Në emër të saj, sot në sallë ishin vetëm Edmond Spaho e Petrit Vasili. Dy kryetarët e grupeve të PD-së e të LSI-së kërkuan rivotimin e ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar, të miratuar të enjten. Sipas tyre votimi u manipulua pasi kanë votuar deputetë që nuk ishin të pranishëm. Por, kolegu i tyre socialist, Taulant Balla hodhi poshtë këto pretendime dhe deklaroi se “Nuk bëhet fjalë për manipulim me votat”. Balla tha se deputeti i pavarur Robert Bitri ishte pajisur me një karton, që ka rezultuar të jetë i Vangjel Tavos. Për kreun e grupit socialist, “Ka një skenar për të prishur votimin e së enjtes”. Pasi Opozita kërkoi anulimin e votimit të ligjit për Teatrin, me pretendimin se u manipuluan votat, për shqyrtimin e kësaj kërkese është mbledhur Sekretariati për Procedurat dhe Votimet. Në mbledhje marrin pjesë Adnor Shameti e Alket Hyseni, por jo përfaqësuesi i PD-së, Enkelejd Alibeaj.