Botë e Çuditshme

Ky shtet me shumicë katolike miraton projektligjin për legalizimin e abortit!

Politikanët në Argjentinë kanë votuar projektligjin që çon shtetin me shumicë katolike drejt legalizimit të abortit. Dhoma e Ulët e Parlamentit ka votuar për ligjin e propozuar nga aktivistet për të drejtat e grave me 131 vota pro, dhe 117 kundër.

Përpara se të kthehet në ligj, ky dokument duhet të miratohet edhe në Dhomën e Lartë të Parlamentit. Votimi pritet të përfundojë para fundit të vitit. Shumë gra në Argjentinë që kryejnë abort, rrezikojnë të përballen me ndëshkim.

Presidenti argjentinas, Alberto Fernandez ka propozuar projektligjin, i cili lejon abortin deri në javën e 14-të të shtatzënisë. Aktualisht aborti në këtë shtet lejohet vetëm në rast të dhunimit, apo nëse shëndeti i nënës është në rrezik. Kisha Katolike ka përsëritur kundërshtimet për abortin, duke iu kërkuar politikanëve në Argjentinë për “reflektim të dytë rreth asaj se çfarë do të thotë respekti për jetën”.

Amerika Latine ka disa prej ligjeve më të ashpra në botë për abort, dhe vota në Argjentinë do të shihet me shumë vëmendje, në këtë çështje polarizuese në rajon.