Rajoni

Lajçak: Diskutime të gjata me Vuçiçin për situatën e serbëve në Kosovë!

I dërguari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak vlerësoi gatishmërinë e presidentit serb, Aleksander Vuçiç, siç u shpreh “në gjetjen e zgjidhjes politike për tensionet në veri të Kosovës”. Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndrojnë në Beograd, për të diskutuar me autoritetet lidhur me rëndësinë e uljes së tensioneve në veri të Kosovës.

Në Beograd, Escobari dhe unë patëm diskutime të gjata me presidentin Vuçiç lidhur me situatën komplekse të serbëve në Kosovë. Dhuna nuk është kurrë e pranueshme dhe kemi nevojë urgjente për zgjidhje politike për krizën aktuale.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në korrik për zgjedhje të reja.

Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale, Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth tyre e protestuesit të largohen. Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja e ne duam që serbët të marrin pjesë në to, pa parakushte.

Escobar i bëri komentet për gazetarët në Beograd ku pas Prishtinës udhëtoi bashkë me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.  Vizita e tyre vjen në kohën e tensioneve të larta në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Kriza që u përshkallëzua në dhunë, nisi më 26 maj kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, pavarësisht rezistencës së banorëve serbë.

Gabriel Escobar, i cili kritikoi ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për “mungesë bashkëpunimi” në shtensionimin e situatës, tha se presidenti serb Aleksander Vuçiç e siguroi se do të shfrytëzonte ndikimin e tij, për të bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të marrë pjesë në rast se mbahen zgjedhje në veri.