Një ngjarje e pazakontë ka tronditur Arizonën në Shtetet e Bashkuara, ku një fëmijë vetëm 18 muajsh u gjet gjallë në morgun e një spitali, disa orë pasi ishte shpallur i vdekur nga mjekët. Sipas raportimeve, incidenti ndodhi më 8 shkurt, kur vogëlushi u nxor pa ndjenja nga pishina e banesës së familjes. Pas njoftimit të shërbimeve të emergjencës, ekipet mjekësore nisën menjëherë manovrat e ringjalljes dhe e transportuan fëmijën në spital.
Raporti i policisë tregon se efektivët u kishin bërë me dije mjekëve se kishin vënë re shenja jete tek fëmija. Megjithatë, mjeku Arian Toussi e shpalli atë të vdekur rreth një orë pas mbërritjes në spital. Zhvillimi mori një kthesë të papritur rreth pesë orë më vonë, kur punonjësit e zyrës së mjekut ligjor konstatuan se fëmija po merrte ende frymë në morg. Ai u transportua me urgjencë me helikopter drejt një spitali tjetër, ku mori trajtimin e nevojshëm dhe, pas disa ditësh, arriti të rikuperohej.
Spitali ka nisur një hetim të brendshëm për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, duke e cilësuar rastin si tepër të rëndë dhe duke premtuar rishikimin e procedurave për të shmangur përsëritjen e situatave të ngjashme. Ndërkohë, avokati i mjekut të përfshirë në këtë rast ka deklaruar se, për respekt të familjes dhe privatësisë së pacientit, nuk do të bëhen komente të mëtejshme deri në përfundimin e hetimeve.