Lifestyle

A është vërtet i nevojshëm qumështi pluhur për fëmijët pas 1 viti?

Zgjedhja e ushqimeve për bebet kalon në disa faza të qarta, të cilat zakonisht pasqyrohen edhe në etiketat e produkteve. Qumështi i formulës, si dhe ushqimet e ngurta, kategorizohen sipas moshës së fëmijës.

Por sapo fëmija kalon vitin e parë të jetës, shumë prindër përballen me një dilemë të shpeshtë: a ka vërtet nevojë fëmija për qumësht formule kalimtare, të ashtuquajturin “toddler milk”?

Këto produkte promovohen si një hap i domosdoshëm mes qumështit të gjirit apo formulës për bebe dhe qumështit të lopës. Etiketat e tyre pretendojnë se janë të rekomanduara nga ekspertët dhe se ndihmojnë në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës. Por sa të vërteta janë këto pretendime?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, studiues nga Universiteti i Nju Jorkut (New York University) analizuan nga afër përshkrimet dhe mesazhet që shoqërojnë qumështet tranzitore të ofruara në treg. Qëllimi i tyre ishte të verifikonin nëse këto produkte janë vërtet të domosdoshme dhe më ushqyese se qumështi i zakonshëm i lopës.

Çfarë zbuloi studimi?

Sipas studimit, këto produkte targetojnë fëmijë nga mosha 9 muajsh deri në 3 vjeç dhe tregtohen me emërtime të ndryshme si “formula për fëmijë”, “formula tranzitore” apo “qumësht për fëmijë”. Të gjitha, pa përjashtim, pretendojnë se përmbajnë lëndë ushqyese që mbështesin rritjen dhe zhvillimin e fëmijës.

Autorja kryesore e studimit, Dr. Jennifer L. Pomeranz, thekson se etiketat e këtyre produkteve krijojnë bindjen se ato janë thelbësore për shëndetin e fëmijës.

Pretendimet për zhvillim më të mirë dhe rekomandime nga ekspertët i bëjnë prindërit të mendojnë se këto produkte janë të nevojshme, edhe pse nuk ka prova shkencore që ato ofrojnë më shumë vlera ushqyese sesa qumështi i zakonshëm i lopës

-shpjegon ajo.

A janë të nevojshme formulat kalimtare?

Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë (American Academy of Pediatrics), fëmijët mbi moshën 1 vjeç mund dhe duhet të konsumojnë qumësht lope, ose alternativa të përshtatshme në rast alergjie, të kombinuara me një dietë të balancuar dhe ushqime të shëndetshme.

Ky qëndrim mbështetet edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila vlerëson se qumështet tranzitore janë të panevojshme dhe nuk ofrojnë përfitime shtesë krahasuar me ushqyerjen normale.

Ekspertët sugjerojnë që prindërit të informohen mirë dhe të mos ndikohen vetëm nga marketingu i produkteve, pasi ushqyerja e shëndetshme e fëmijës mund të arrihet edhe pa përdorimin e formulave kalimtare.