Bujaria, mbështetja për personin në nevojë, mikpritja, historikisht njihen si tradita të shqiptarëve, por tani duket se i përkasin vetëm historisë. Sondazhi i fundit i “Gallup”-it, në funksion të Indeksit të Lumturisë 2023, tregon se Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë sa i përket treguesve të bujarisë e mbështetjes sociale.
Ndryshe është situata për shtetasit e Kosovës, që vijojnë t’i ruajnë e zbatojnë këto tradita, duke u renditur ndër të parët në botë sa i përket bujarisë. Mbështetja sociale është një tregues që sipas metodologjisë së raportit lidhet me të paturin e dikujt ku të mbështetesh në kohë telashesh.
Të anketuarit u pyetën: Nëse keni qenë në telashe, a keni të afërm ose miq që mund të mbështeteni për t’ju ndihmuar sa herë që keni nevojë, apo jo?
Në këtë tregues, Shqipëria renditet e fundit në Europë dhe e 29-ta nga fundi në botë, me diferencë nga shtetet e tjera të Europës. Mbështetja sociale e shqiptarëve është njëlloj me të vendeve si Kongo, Zimbabve, Kenia, Honduras.
Në rajon, mbështetje më të ulët sociale pas Shqipërisë ka në Maqedoninë e Veriut. Kosova renditet ndër 40 vendet në botë që mbështesin njëri-tjetrin, ndërsa nuk ka të dhëna për Serbinë e Malin e Zi. Shtetet me mbështetjen sociale më të lartë në botë janë Zelanda e Re, Danimarka, Finlanda, Islanda.
Edhe në treguesin e bujarisë, Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë. Për ta matur, të anketuarve u drejtohet pyetja: A keni dhuruar para’ për një bamirësi muajin e kaluar?
Sipas raportit, ky është një tregues i qartë për një ndjenjë të angazhimit pozitiv të komunitetit e një mënyrë kyçe që njerëzit të lidhen mes tyre. Hulumtimet tregojnë se në të gjitha kulturat, duke filluar nga fëmijëria e hershme, njerëzit tërhiqen nga sjelljet nga të cilat përfitojnë njerëzit e tjerë.
Shqipëria është ndër vendet më pak bujare të Europës, por rekordin (negativ) e mban Greqia, me Bullgarinë, Rumaninë, Portugalinë. Shtetasit e Kosovës sërish renditen shumë më mirë se ne, ndër 25 më bujarët në botë.
Mbështetja e ulët e pritshme nga miqtë e të afërmit, bashkë me të ardhurat e ulëta për frymë e perceptimin e lartë të korrupsionit janë disa nga faktorët që e rendisin Shqipërinë ndër shtetet më të palumtura të Europës.
Në raportin e fundit të Lumturisë, të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka humbur një pozicion dhe renditet e 91-ta mes 146 shteteve. Nga vendet e Europës, lëmë pas Maqedoninë e Veriut (92), Turqinë (102) dhe Gjeorgjinë (106).
Ndonëse të ardhurat për frymë të Kosovës janë më të ulëta se tonat, sërish shtetasit e Kosovës renditen shumë më mirë se ne në Indeksin e Lumturisë, pasi fitojnë pikë nga mbështetja e lartë për njëri-tjetrin.
Kosova u rendit në vendin e 34-rt në botë dhe më e lumtura në rajon. Pas saj është Serbia, e 45-ta. Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi u renditën përkatësisht në vendin e 63-të e të 71-të./Monitor