Biznesmeni miliarder amerikan Lex Wexner ka reaguar publikisht për marrëdhënien e tij të mëparshme me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, duke e përshkruar veten si “naiv” dhe “budalla” që i kishte besuar atij për vite me radhë.
Në një deklaratë për ligjvënësit amerikanë, ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë Victoria’s Secret akuzoi Epstein për vjedhjen e shumave të mëdha parash nga familja e tij gjatë kohës kur shërbente si këshilltar financiar.

Wexner dëshmoi para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve në kuadër të hetimeve për rastin Epstein, duke mohuar çdo shkelje ligjore nga ana e tij.
Ai ishte përmendur si bashkëpunëtor i mundshëm në një dokument të FBI-së në vitin 2019, por ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë.
Dëshmia u zhvillua në Ohajo, shteti i lindjes së biznesmenit, ku morën pjesë vetëm ligjvënës demokratë, ndërsa përfaqësues republikanë nuk ishin të pranishëm personalisht.
Gjatë seancës, kongresmeni Robert Garcia deklaroi se Epstein nuk do të kishte arritur pasurinë dhe ndikimin e tij pa mbështetjen financiare të Wexner, duke përmendur burimet që financuan aktivitetet dhe pronat e financierit.
Në deklaratën e tij hapëse, Wexner këmbënguli se marrëdhënia e tij me Epstein ishte e kufizuar dhe mohoi çdo dijeni për aktivitetet kriminale apo abuzimet seksuale të tij.
Isha naiv që i besova Jeffrey Epstein-it. Ai ishte një mashtrues. Ndërsa u mashtrova, nuk kam bërë asgjë të gabuar dhe nuk kam asgjë për të fshehur
-deklaroi ai.
Biznesmeni theksoi gjithashtu se kishte vizituar ishullin privat të Epstein vetëm për disa orë së bashku me familjen e tij dhe shtoi se i ndërpreu marrëdhëniet me të pasi ai u akuzua për abuzim seksual me të mitur në Florida.
Marrëdhënia mes tyre daton që nga vitet 1980, ndërsa publikimi i mijëra dokumenteve të reja lidhur me rastin Epstein ka rikthyer vëmendjen mbi lidhjet dhe bashkëpunëtorët e financierit.