Gossip Showbiz

Sarah Ferguson përballet me telashe të reja? Gjashtë kompani drejt mbylljes mes rikthimit të skandalit Jeffrey Epstein?

Gjashtë kompani të lidhura me Sarah Ferguson, ish-dukesha e Jorkut, pritet të mbyllen dhe të çregjistrohen nga regjistri britanik i bizneseve, në një kohë kur emri i saj është rikthyer në qendër të vëmendjes pas publikimit të dokumenteve të reja që lidhen me financierin Jeffrey Epstein.

Sipas dokumenteve të depozituara në Companies House, Ferguson rezulton drejtoresha e vetme e gjashtë kompanive që operojnë kryesisht në sektorin e komunikimit dhe tregtisë me pakicë.

Disa prej tyre janë klasifikuar si “joaktive”, ndërsa autoritetet britanike pritet të përfundojnë procedurat për çregjistrimin e tyre.

Zhvillimi vjen pas publikimit të dokumenteve të reja që hedhin dritë mbi kontaktet e Ferguson me Epstein, i dënuar për abuzime seksuale me të mitur. Sipas këtyre dosjeve, ish-dukesha kishte mbajtur komunikim të vazhdueshëm me të, edhe gjatë kohës kur ai ndodhej në burg, duke i kërkuar ndihmë për shlyerjen e borxheve që arrinin rreth gjashtë milionë paund dhe këshilla për bizneset e saj në vështirësi.

Megjithëse më herët zëdhënësi i Ferguson kishte deklaruar se ajo kishte ndërprerë marrëdhëniet me Epstein sapo dolën në dritë akuzat ndaj tij, dokumentet sugjerojnë një tjetër version. Sipas tyre, ajo e kishte takuar financierin në Miami në vitin 2009, vetëm pesë ditë pas lirimit të tij nga burgu.

Skandali ka rikthyer në vëmendje edhe vajzat e Ferguson dhe ish-bashkëshortit të saj, Prince Andrew, përkatësisht Princess Beatrice dhe Princess Eugenie. Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, të dyja princeshat kishin marrë pjesë në një drekë me Epstein në Miami më 27 korrik 2009.

Dosjet tregojnë gjithashtu se Epstein kishte paguar fluturimin e Ferguson dhe vajzave të saj drejt Shteteve të Bashkuara, me një kosto që tejkalonte 14 mijë dollarë. Korrespondenca e publikuar përfshin edhe emaile ku ish-dukesha shprehte mirënjohje për mbështetjen e tij, ndërsa në disa raste kishte ndarë me të informacione dhe fotografi të vajzave.

Deri tani, princeshat Beatrice dhe Eugenie nuk kanë reaguar publikisht mbi këto zhvillime. Sipas ekspertes së familjes mbretërore Ingrid Seward, e cituar nga CNN, publikimi i dokumenteve i ka tronditur thellësisht ato.

Zbulimet e fundit kanë nxitur reagime të shumta në mediat britanike dhe kanë shtuar presionin mbi familjen mbretërore, duke rikthyer edhe një herë në vëmendje lidhjet e diskutueshme dhe ndikimin e tyre në imazhin publik të saj.