Liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, sot mblidhen në Bruksel që të bisedojnë për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë. Në fokus janë edhe mënyrat për të shmangur tarifat e reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet në konfliktet në Lindjen e Mesme.
Në Bruksel, shumica e liderëve shkojnë nga një samit i shkurtër, por intensiv i NATO-s, ku dje u zotuan për një rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtje, si dhe kufizuan disa prej dallimeve të tyre me presidentin amerikan, Donald Trump. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në samitin e BE-së përmes video-konferencës.
NATO që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk i kushtoi rëndësi Ukrainës gjatë samitit të një dite më parë, por lufta e Rusisë në vendin fqinj, padyshim që mbetet shqetësim kryesor për BE-në.
Drejtuesit e Bllokut do të bisedojnë lidhur me raundin e 18-të të sanksioneve ndaj Moskës e nëse do të vazhdojnë ta mbajnë çmimin tavan për naftën ruse. Këto masa po kundërshtohen nga disa vende, sepse mund t’i rrisin çmimet e energjisë.
Ndërkohë, kërcënimi i Trump-it me tarifa po rëndon BE-në, që negocion marrëveshje tregtare në emër të të 27 vendeve anëtare. Një ditë më parë, Trump-i sulmoi Spanjën se nuk shpenzon mjaftueshëm në mbrojtje dhe sugjeroi tarifa të reja. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kritikoi Trump-in për nisjen e një lufte tregtare me aleatë të vjetër.
Po ashtu, liderët europianë janë të shqetësuar rreth pasojave nga luftërat në Lindjen e Mesme dhe BE-ja po shtyn për ringjalljen e negociatave diplomatike me Iranin për programin e tij bërthamor.
Vendet anëtare të BE-së kanë mosmarrëveshje të brendshme për të kapërcyer. Ato janë të ndara në lidhje me politikat ndaj Izraelit për shkak të veprimeve të shtetit hebraik në Rripin e Gazës. Edhe partitë e majta po kritikojnë shefen e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për largimin nga drejtimi i politikave klimatike të BE-së, në favor të investimeve ushtarake.
Mbrojtja dhe siguria ka gjasa të jenë në fokus. Samiti do të përfundojë me një deklaratë përfundimtare që të përcaktojë agjendën e bllokut për katër muajt e ardhshëm dhe do të shërbejë si tregues i ndjesive politike në Europë mbi çështje kryesore rajonale e globale.