Rajoni

Limaj pas dështimit të takimit me Kurtin: Duhet marrëveshje politike!/ PDK, Krasniqi: Kurti ka mendime të çuditshme!

Fatmir Limaj kreu i ‘Nismës’ ka thënë pas takimit me liderët e partive, se si një takim i parë, sipas tij dihej që do të ishte i vështirë. Më tej ai tha se në takim i ka bërë ftesë palëve të përqëndrohen në një marrëveshje politike.

“Një tryezë politike e partive politike që janë këtu në parlament e sidomos partive me shumicë shqiptare, është e domosdoshme për të gjetur zgjidhje që do të çonte në konstituimin e institucioneve të Kosovës. Pas tre muajsh erdhëm deri te një takim i tillë dhe sot ky takim më tepër ka shkuar rreth qasjeve dhe këndvështrimeve të secilit se si e shohim aktgykimin e Gjykatës Kushtetuese, e më pak është folur për atë që besoj unë është tema kryesore. Kriza politike si këto zgjidhen me marrëveshje politike, edhe aktgjykimi i Gjykateës Kushtetuese ka bërë këtë udhëzim, dhe ata që kanë pritur se aktygjykimi do të zgjidhë krizën politike, nuk e njohin mirë funksionimin e gjykatave, në këtë rast Gjykatën Kushtetuese dhe vetë sistemin kushtetues. Takimi si takim për mendimin tim është gjë e mirë që ka ndodhur. Pres të ndodhin edhe takime të tjera. Natyrisht, takimi i parë është gjithmonë më i vështirë derisa të njihen pozicionet politike. Unë mendova që të jap kontributin tim për t’u kthyer në esencën e asaj që e presin qytetarët e Kosovës. I ftova të gjithë drejtuesit aty që të fokusohemi në marrëveshje politike, e cila menjëherë zgjidh krizën”.-tha Limaj.

Kreu i PDK-së Memli Krasniqi e quajti takimin “një dështim” dhe bëri fajtor Kurtin:

“Ky takim që u ftua nga Kurti ndoshta për të aktruar përmbushjen e një obligimi që edhe aktgjykimi i fundit i Kushtetueses për konsultime në mirëbesim dhe për përgjegjësinë e detyrimin për të gjetur konsensus apo kompromis, rezultoi i pasuksesshëm, sepse përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë, Kurti është i njëjtë, qëndrimet e tij mbesin të njëjta dhe mentaliteti imponues vazhdon të jetë më e rëndësishme se gjetja e zgjidhjes dhe përfundimi i bllokadës në të cilën është duke e mbajtur vendin. Është shqetësues fakti që Kurti me aq sa e pash në takim kishte interpretim të çuditshëm të aktgjykimit. Ai mendonte se s’ka asnjë problem as në propozimin arbitrar të votimit të fshehtë dhe as në mënyrën se si janë mbajtur seancat. Në imagjinatën që duan të jetë e vërteta dhe e vërteta nuk është ajo. Kaq shumë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve ne jemi në bllokadë politike të imponuar nga LVV-ja dhe Albin Kurti”, u shpreh ai.