Rajoni

Kurti: Serbia mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia mund të përdorë “elemente destruktive” për të nxitur incidente gjatë festës serbe të Vidovdanit, nesër në Gazimestan, rreth 10 kilometra nga Prishtina. Duke folur në një mbledhje të qeverisë, Kurti u shpreh se Serbia do të përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga protesta antiqeveritare që pritet të zhvillohet nesër në Beograd, duke nxitur incidente në Kosovë.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe rajoni, tradicionalisht e shënojnë Vidovdanin më 28 qershor në Gazimestan, një monument historik pranë Prishtinës. Kurti u shpreh:

Sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv, ndaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Grupet e tilla kanë qenë tradicionalisht provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu kundër vlerave demokratike dhe evropiane. Festa e Vidovdanit, megjithëse me karakter fetar, fatkeqësisht vazhdimisht është përcjell me retorikë politike, nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë.

Javë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e shfuqizoi vendimin e Komunës së Graçanicës për vendosjen e flamurit të Serbisë për nder të Vidovdanit më 2024-ën. Në arsyetimin e gjykatës thuhet se komuna ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi ka miratuar një vendim për shfaqjen e flamurit të Serbisë më 28 qershor, ditë që nuk është e përcaktuar si festë zyrtare në Kosovë.

Kurti deklaroi se tubimet për Vidovdanin duhet të mbahen në përputhje me ligjin, “jo të shndërrohen në mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd”. Tubimi sigurohet nga Policia e Kosovës e gjatë viteve të fundit, nuk janë lejuar të futen flamuj të Serbisë apo simbole të tjera kombëtare, përveç atyre kishtare, pasi përkujtimi organizohet edhe nga Kisha Ortodokse Serbe në nderim të betejës së vitit 1389 kundër ushtrisë osmane.

Javën e kaluar, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiç, bëri thirrje për respektimin e të drejtave të komunitetit serb sa i përket përdorimit të simbolit të tyre.

Përdorimi flamurit serb nga serbët nuk përbën kërcënim ndaj identitetit të askujt, por është dëshmi e përkushtimit të Kosovës si një shoqëri demokratike e bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e akuzoi Kurtin se gjatë seancave në Kuvendin e Kosovës shfaq flamurin kombëtar të Shqipërisë.