Aktualitet Politikë

Lirimi i hapësirave publike, deputetja Tabaku: Skenar i përsëritur!

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku reagoi lidhur me aksionin e fundit kundër informalitetit dhe zënies së hapësirave publike. Nismën e kryeministrit Edi Rama e cilëson “përsëritje të skenareve të vjetër”, duke vënë në dukje se të njëjtat aksione janë ndërmarrë periodikisht gjatë viteve 2013, 2015, 2017, 2019 e 2021, gjithnjë pak pas zgjedhjeve.

Përgjegjësia për situatën aktuale bie drejtpërdrejt mbi qeverinë që ka dhënë lejet dhe që nuk ka kontrolluar territorin.

Tabaku shtoi se sa herë që ka zgjedhje, qytetarëve u jepet liri e plotë për të ndërtuar, ndërsa sapo mbarojnë, ata ndëshkohen e bëhen subjekt i aksioneve të ashpra. Deputetja e PD-së thekson nevojën urgjente për reforma të plota dhe tërësore në kontrollin e territorit, si dhe për një reformë të plotë në vlerësimin e pronës, duke kërkuar drejtësi për pronarët dhe një rol më të fuqishëm të pushtetit lokal.

Cili mban përgjegjësi për zënien e hapësirave publike, për dhënien e lejes, për mungesën e kontrollit të territorit. Sa herë që ka zgjedhje iu thonë qytetarëve ndërtoni se jeni të lirë dhe sa përfundojnë, bëhen kamzhiku në kokën e tyre.

Sot Shqipëria ka nevojë për një reformë tërësore në kontrollin e territorit që ka dalë jashtë kontrollit, për një reformë tërësore edhe për vlerësimin e pronës, për dhënien të drejtë të pronarit që të bëjë rregullime të vogla.

Sot Shqipëria ndodhet në një udhëkryq dhe kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e arrogancës së pushtetit që reflektohet në mënyrën se si menaxhohen këto aksione dhe territori në tërësi.

Qeverinë aktuale, Jorida Tabaku e konsideron si të vetmen përgjegjëse për gjendjen e krijuar, duke theksuar se “kryeministri Rama nuk po bën asgjë më shumë sesa përsërit retorikën politike që ka përdorur gjatë 12 viteve të fundit”.