Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm nga akuza për shpifje kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe deputetët Flamur Noka, Edi Paloka dhe Luçiano Boçi.
Kreu i PD dhe tre deputetët e kësaj force politike ishin akuzuar nga avokatja Valentina Teodoresku për shpifje. Ajo ishte avokatja e caktuar kryesisht nga gjykata për të mbrojtur interesat e Berishës në seancën e verifikimit të masës së parë “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”, tetorin e vitit 2023.
Teodoresku pretendoi si shpifëse deklaratat publike të të kallëzuarve prej saj ku e identifikonin si patronazhiste dhe ish-hetuese të kohës së diktaturës.
Në kërkesën e ngritur më 26.06.2025, Teodoresku kishte akuzuar Berishën, deputetët Noka, Paloka dhe Boçi, si dhe disa media, gazetarë dhe avokatin Genci Gjokutaj, për shpifje të kryer botërisht.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.