Mbretëria e Bashkuar bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe. Për Prishtinën zyrtare ky është “rrëmbim” nga autoritetet e Serbisë në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviçit, brenda territorit të Kosovës.
Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme e të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet.
Përmes kësaj deklarate u përsërit thirrja e Londrës ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe qeverisë së tij, që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të komunave, të kryejnë detyrat kalimtare nga vende alternative, jashtë ndërtesave komunale. Po ashtu, që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga ndërtesat komunale.
Zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje.
Qeveria britanike i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë “të angazhohen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja e në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.
Disa burime diplomatike i thanë Radios Evropa e Lirë se është fjala për një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç. Nuk saktësohet nëse ky takim do të organizohet në kuadër të dialogut mes dy vendeve dhe që e ndërmjetëson BE-ja.
Beogradi thotë se nuk bëhet fjalë për rrëmbim, por për arrestim të policëve në territorin serb. Kanë kaluar dy ditë dhe autoritetet e Serbisë ende nuk kanë ofruar një informacion lidhur me të arrestuarit.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kohë kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri me shumicë serbe hynë në ndërtesat komunale.
Serbët kanë kundërshtuar diçka të tillë e protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.