BEST OF LIVE FROM TIRANA
I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Alfred Cako. Ai ka folur më shumë për luftën Izrael-Iran, por dhe mundësinë për një Luftë të tretë Botërore. Sa rrezikon Shqipëria nga këto ngjarje?
Luftrat do të vazhdojnë, do të përhapen. Në vitin 2027 do të ketë një paqe të brishtë mes Ukrainës dhe Rusisë, e cila më shumë se sa paqe, do të jetë një armëpushim 2-vjeçar. Dhe pas dy vitesh, Evropa, e cila ka shumë para përmes bankierëve të saj, do të armatoset fuqimisht. Britania, Gjermania, Franca kanë filluar një garë të jashtëzakonshme armatimesh dhe nuk e tregojnë nivelin e financimeve të kësaj gare armatimi shumë të lartë. Do përpiqen të shkatërrojnë dhe të hyjnë në luftë me Rusinë në vitin 2027. Kur të hyjë në luftë NATO Evropiane, pa Amerikën, me Rusinë, Shtetet e Bashkuara do të ndjekin politikën izolacioniste dhe do t’i tërheqin të gjithë trupat amerikane të NATO-s nga Evropa. Dhe në këtë kohë Amerika mund të godasë Kanadanë dhe Groenlandën. Këtë moment do ta shfrytëzojë Izraeli, që me ndihmën e Evropës, do përpiqet të marrë toka dhe nga Egjipti dhe nga Jordania, duke krijuar Izraelin e Madh, duke dëbuar banorët e këtyre vendeve dhe duke lënë shumë pak banorë. Kina njëkohësisht, do përpiqet të marrë Tajvanin dhe të kontrollojë gjithë detin e Kinës jugore, ta kthejë në një liqen, ku të mos ketë ujëra ndërkombëtare.