Bota

Luftime të ashpra në lindje të Ukrainës, Rusia synon Luhanskun e Donjeckun!

Ushtria e Ukrainës raporton luftime të ashpra në lindje të vendit ndërsa forcat ruse përpiqen të marrin kontrollin e plotë të rajoneve pjesërisht të pushtuara të Luhanskut e Donjeckut.

Kundërshtari vazhdon të përqendrohet në përpjekjet për të pushtuar plotësisht rajonet e Luhanskut e Donjeckut.

Fokusi i forcave ruse në Luhansk e Donjeck vazhdon të rritet, ndërsa ushtria ukrainase po zhvillon një kundërofensivë të madhe që synon rimarrjen e territorit ukrainas të pushtuar nga Moska. Një ditë më parë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pranoi se kundërofensiva e shumëpritur ka filluar.

Në Ukrainë po zhvillohen veprime kundërsulmuese dhe mbrojtëse, por nuk do të them me detaje se në çfarë faze janë.

Gjatë një konference për shtyp në Kiev me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, Zelensky u pyet në lidhje me pretendimin e presidentit rus, Vladimir Putin se filloi një kundërofensivë, por se forcat ukrainase nuk kanë shënuar asnjë përparim.

Zelensky u kërkoi gazetarëve që Putinit t’i përcjellin mesazhin se “të gjithë gjeneralët ukrainas janë në humor të mirë”.

Betejat më të vështira po zhvillohen në frontet lindore e jugore të Ukrainës.

Nga dje, përmbytjet janë tërhequr disi në disa pjesë të Ukrainës jugore, por në të tjera zona, nivelet e ujit u rritën në orët e para të ditës së sotme dhe operacionet e shpëtimit vazhduan. Vërshimet janë pasojë e sulmit ndaj një dige.

Në të njëjtën kohë, Agjencia e Energjisë Bërthamore e Ukrainës, një ditë më parë deklaroi se reaktori i fundit në termocentralin më të madh bërthamor në Europë u kalua në modalitetin “fikje e ftohtë” dhe kjo për arsye sigurie.

Oleksandr Prokudin, kreu i administratës ushtarake në rajonin Herson tha në Telegram se 35 vendbanime u përmbytën në bregun e djathtë të Dnjepërit e se 3 mijë e 763 shtëpi ishin nën ujë. Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës njoftoi se të paktën 27 persona janë zhdukur në zonat e përmbytura të Herson.