Bota

Macron: Rusia duhet të pranojë propozimin për armëpushim 30-ditor për një zgjidhje paqësore!

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar që Rusia të pranojë një armëpushim 30-ditor, të propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina, për të hapur mundësinë e një zgjidhjeje paqësore në konfliktin aktual.

Macron njoftoi se ka pasur një bisedë të rëndësishme me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke theksuar nevojën për një qëndrim të koordinuar ndërkombëtar për të bërë presion ndaj Moskës.

Rusia, nga ana tjetër, ka lënë të kuptohet se do të pranojë armëpushimin vetëm në “kushte të caktuara,” duke mbajtur ende qëndrimin e saj të paqartë për këtë çështje.

Ka “shumë gjasa” që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund, u shpreh sot presidenti amerikan, Donald Trump, pas bisedimeve “frytdhënëse” mes zyrtarëve amerikanë dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

 “Ne zhvilluam bisedime shumë të mira dhe frytdhënëse dje me presidentin e Rusisë, Vladimir Puti, dhe ka shumë mundësi që kjo luftë e tmerrshme dhe e përgjakshme të marrë fund përfundimisht”, tha Trump në një postim në Truth Social, duke shtuar se ai i ka kërkuar Putinit ta kursejë jetën e trupave ukrainase që janë “plotësisht të rrethuara“.

I dërguari amerikan, Steve Witkoff, mbajti takim të gjatë me Putinin në Moskë të enjten në mbrëmje.

Në postimin e tij, Trump nuk tregoi nëse ka biseduar vetë me Putinin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë të premten se Putin ia ka dërguar Trumpit një mesazh për propozimin e tij për armëpushim në Ukrainë, pas takimit në Moskë me të dërguarin e posaçëm Witkoff.