Rajoni

Marshim në Prishtinë në Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të Luftës në Kosovë!

Sot në ditën kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, në Prishtinë u organizua një marshim mbështetës për këtë kategori të shoqërisë. Me mbishkrimet “Bëhu zëri im” dhe “Jemi me ju”, dhjetëra qytetarë marshuan në sheshet kryesore të Prishtinës drejt memorialit “Heroinat”. Pjesë e aktivitetit u bënë edhe dy të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të cilat folën publikisht për rastet e tyre: Vasfije Krasniqi-Goodman e Shyrete Tahiri-Sulimani.

Krasniqi-Goodman tha se 14 prilli i vitit 1998 ka qenë dita më e tmerrshme jetës së saj, pasi atë ditë u përdhunua nga forcat serbe.

Sot, unë këtë ditë dua ta shndërroj në forcë, në guxim, në kurajë, t’u jap forcë viktimave që zëri ynë të dëgjohet në tërë botën se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë gjatë luftës më 1998-99.

Tahiri-Sulimani deklaroi se me shpalljen e 14 prillit, Ditë për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë, kjo është shndërruar në “ditë historike” për të nderuar vuajtjet e të mbijetuarve.

Në këtë muaj të vitit 1999, jeta jo vetëm e imja, por e 20 mijë kosovarëve u ndryshua. Jam shumë krenare që shoh shumë të rinj e të reja këtu sot. E di se këta do të luftojnë gjithmonë për ne dhe nuk do të lënë që të na harrojnë.

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës u shpreh se “14 prilli do të shërbejë si kujtesë kolektive për krimin e përdhunimit që është kryer ndaj mijëra personave në Kosovë gjatë luftës”. Këtë vit, motoja e Qendrës që udhëheq është: “Të rinjtë mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale”.

Shënimi i kësaj dite duhet të shërbejë edhe për edukimin e brezave të rinj.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se institucionet dhe qytetarët nuk duhet të lejojnë “që këto krime të harrohen apo të heshtet”, duke shtuar se e gjithë shoqëria duhet ta luftojë stigmën.

Marshimin e organizoi Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Zyra e Presidencës të Kosovës. Nga viti 2014, në Kosovë njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës për të përdhunuarit gjatë luftës. Ata marrin një pension prej rreth 230 eurosh në muaj.

Afati për të aplikuar për njohjen e këtij statusi është shtyrë deri më 2025-ën. Këtë status e kanë 1 mijë e 451 persona. Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet, por besohet se arrin deri në 20 mijë.