Rajoni

Mbetje mortore në Rahovec, dyshime se lidhen me luftën në Kosovë!

Gjatë punimeve në një zonë të komunës së Rahovecit u gjetën mbetje mortore, që dyshohet se mund t’i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Sipas raportimeve zyrtare, njësia policore në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe bazuar në urdhëresën e gjykatës, gjatë gërmimeve hasi në eshtra me prejardhje njerëzore, që dyshohet se i përkasin së paku një individi të zhdukur gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Autoritetet bënë të ditur se mbetjet e eshtrave u tërhoqën nga vendi i ngjarjes dhe u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim të mëtejshëm, përfshirë autopsinë e analizën e ADN-së, me qëllim identifikimin e individit ose personave të mundshëm.

Vazhdojnë hetimet në lidhje me rrethanat e gjetjes së mbetjeve, ndërsa autoritetet po punojnë për të sqaruar nëse ato lidhen me raste të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.